Gazetari Vehbi Kajtazi në Rubikon në Klan Kosova ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për t’ia pezulluar licensën televizionit Klan Kosova ku është shprehur se nuk e kupton aktivizimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për një çështje që nuk lidhet me KPM-në.
“Unë s’e kuptoj aktivizimin e KPM-së për një çështje që nuk lidhet me KPM-në. Pse u dashtën ata të mblidhen në një mbledhje të jashtëzakonshme ta diskutojnë çështjen e Klan Kosovës. Çfarë bëri Klan Kosova së fundmi i politizuar tejskajshëm nga pushteti me u mbledhë me diskutu një çështje të një çertifikate biznesi. Ku është bërë kjo shkelje? Në Maqedoni apo në Kosovë? Nëse ka ndodhur në Maqedoni, atëherë është çështje tjetër.”, tha Kajtazi.
Kajtazi është shprehur se klima për sulme ndaj mediave është përgatitur shumë më herët nga eksponentë të pushtetit dhe nga partia në pushtet.
Sipas tij, linçimi dhe etiketimi i mediave ka krijuar ambient të përshtatshëm për sulme ndaj tyre.
“Këtu flasim për finalen e përgatitjes së finales së një sulmi masiv kundër mediave. E përmendi z. Rexha, fatmirësisht që është kryetari i AGK-së dhe përfaqëson profesionalizëm dhe e njeh mirë këtë punën tonë ndër vite dhe ndërrimin e pushteteve se si ka funksionuar media dhe klima politike, por sulmi ndaj Klan Kosovës është i përgatitur prej kohës, me u kthy mbrapa pak dhe me e risjell gjuhën e pushtetit në raport me mediat. Shefi i kabinetit të kryeministrit, shefi i kabinetit të Presidentes, bashkëshorti i Presidentes, të gjithë kanë një gjuhë të unisuar se mediat janë ndërmarrje e përbashkët kriminale. Klima është përgatitur prej kohësh që gjahun me e bë më të lehtë, që kur t’i sulmojnë pastaj publiku me arsyetu këtë sulm dhe me thanë mirë ua kanë ba sepse janë ndërmarrje e përbashkët kriminale këta punojnë kundër Kosovës, janë të lidhur me Serbinë, me Rusinë. Kjo është klima që unë kam folur goxha gjatë me kolegët tjerë që po krijohet në Kosovë.”, u shpreh Kajtazi.
Kajtazi ka krahasuar rastin e Klan Kosovës me rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj për të cilët tha se pushteti i ka marrë në mbrojtje.
“Doli një shkrim online dhe u vërsul gjithë pushteti në bazë të atij shkrimi dhe i referohet atij shkrimi, me pezullu certifikatën e biznesit. Shumë mirë ka ba, t’i marrim dy raste të tjera qysh u sjell pushteti me dy raste penale të cilat janë në zhvillim, Nagip Krasniqi është në paraburgim, gjithë arsenali i pushtetit është vu në mbrojtje të tij ndërkohë njeri është në paraburgim për kontrata multimilionëshe që dyshohet se janë të paligjshme dhe dëmet që ia ka shkaktu ndërmarrjes.
Rasti i Martin Berishajt, ka një procedurë penale për 4 vepra penale, gjithë pushteti iu ka vërsule, unë kam publiku transaksionet e tij që janë multimilionëshe që vijnë nga Beogradi në Prishtinë, tërhiqen para cash, para të thata dhe pushteti e mbron. Qysh ky pushtet disa mediave s’po iu besojka, s’i beson as Prokurorisë, madje po vërsulet në sulm kundër Prokurorisë dhe po e sulmon një medium pse ka dalë një shkrim se po pretendohet se ka parregullësi. Cila është parregullsia?”, u shpreh Kajtazi.
Ai në fund tha se mediat duhet të jenë të bashkuara sepse nëse mediat thyhen, do të cenohet liria qytetare, liria e shprehjes dhe demokracia në Kosovë.
“Nëse sot ne si media nuk jemi unik, nuk jemi të bashkuar, ky është rasti i parë që pushteti ka me tentu me i thy dhe zmbrapsë mediat. Ne nëse jemi unik, kemi me e ru lirinë tonë dhe lirinë qytetare në përgjithësi, nëse thyhen mediat, ka me u cenu liria qytetare, liria e shprehjes, demokracia dhe gjithçka në Kosovë.”, tha Kajtazi. /Paparaci.com/