Lideri i “Lëvizjes për mbrojtjen e Kosovës”, Nebojsha Joviq është tërhequr nga politika pasi është kërcënuar me vdekje.
Ai së bashku me familjen e tij ka disa ditë që nuk janë parë më në vendin e tij të lindjes, në veri të Mitrovicës, ndërsa për vendndodhjen e tyre nuk di askush.
KosovaPress nga burimet e veta bënë të ditur se më 14 qershor në orët e vona të natës, 6 persona të armatosur dhe me maska, kanë hyrë me forcë në banesën e Nebojsha Joviq-it që ndodhet në rrugën “Knjaz Milos” në veri të Mitrovicës, që dyshohet se synim kanë pasur vrasjen e tij, mirëpo përveç bashkëshortes dhe dy fëmijëve, ai nuk është gjetur aty.
Sipas këtyre burimeve, atij edhe në të kaluarën i është tërhequr vërejtja disa herë që ta ndërpresë aktivitetin e tij politik, por që ai nuk është ndalur.
“Ky tipi nga Kopaoniku (Millan Radoicic v. j.) i ka dërguar njerëzit e tij nga Serbia për ta likuiduar Joviq-in, por nuk e kanë gjetur në banesë. Bashkëshorten dhe dy fëmijët ia kanë maltretuar dhe ju kanë thënë se sapo ta gjejnë do t’ia mbyllin gojën përgjithmonë. Ai dhe familja e tij tashmë janë larguar dhe e kanë braktisur Kosovën. Askush nuk e di se ku ndodhen’, tha një burim.
Ndryshe, Nebojsha Joviq ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, ndërsa kohët e fundit në paraqitjet e tij të shumta publike, ka deklaruar se “Lista serbe ka humbur kredibilitetin dhe se nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb të Kosovës”.
Po ashtu, ai ka udhëhequr protestën e 13 qershorit në veri të Mitrovicës kundër arrestimit të Millun Milenkoviq – “Llune” nga ana e Policisë së Kosovës, me ç’rast ka brohoritur “tradhti”, “tradhti”, si dhe fjalë të rënda në adresë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.