Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato. Ky mision ka thënë se për sundim të ligjit, përgjegjëse janë organizatat e sigurisë së Kosovës.
Në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është ngritur alarmi të martën se kishat serbe po shërbejnë si vende ku po ruhen armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë. Gjatë një debati për kujtimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, deputetja Alicia Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme, tha se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se këto armë mbërrijnë me ambulanca nga Serbia.
Të pyetur në KFOR për këtë çështje, misioni i NATO-s ka thënë se pretendimet lidhen me kohën kur Batalioni Mbretëror Britanik u angazhua në veri të Kosovës në mbështetje të KFOR-it, më 2022.
“Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet kjo, asnjë dëshmi nga ajo që u raportua nuk doli. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informata të plota, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it të mërkurën në mëngjes.