Zyrtarët e kompanive për shërbime publike gjatë punës së tyre në terren, në shumë raste hasin në telashe me qytetarët. Shpesh herë ata përballen me ofendime, kërcënime e sulme fizike të cilat ua vështirësojnë punën dhe ua rrezikojnë jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur dje në rrugën ‘Eqrem Çabej’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht zyrtarin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima kishte shkuar që ta kontrollojë njehsorin e ujit, mirëpo aty ai ka hasur në rezistencën e qytetarit i cili dyshohet se e ka kapur për fyti dhe më pas e ka kërcënuar se do ta vrasë.
Përballë kësaj situate, 48-vjeçari është detyruar që ta denoncojë rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje të gjithë ngjarjen.
32-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Sulm’ dhe ‘Kanosje’.