Rrustem Mustafa i njohur me nofkën komandant Remi ka përfunduar sot dëshminë e tij në Gjykatën e Hagës, shkruan Insajderi.
Mustafa ka deklaruar se “shumë e rëndë ndjesia të keni përballë bashkëluftarët me akuza aq të padrejta”.
“Asnjë shpifje kundër të tjerëve, veçmas UÇK-së, asnjë imputim nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi, i cili duke indoktrinuar të tjerët e indoktrinoi veten, siç shihet, përjetësisht”, ka shkruar ai mes tjerash.
Reagimi i plotë:
Sapo përfundova dëshminë time në Hagë, e rëndë shumë e rëndë ndjesia të keni përballë bashkëluftëtarët me akuza aq të padrejta.
Nuk ka relativizim të fajit,
Ky relativizim sa i pamoralshëm po aq i palogjikshëm, përfundoi me një kategorizim absurd dhe cinik: ata që sulmonin, ata që masakronin, ata që zbatonin strategjinë e tokës së djegur, ata që e pastronin etnikisht një territor të huaj, ata që ishin në tokë të huaj.
Rrugën e relativizimit të fajit e ndjek politika serbe e mbështetur nga Rusia, madje edhe drejtuesit më të moderuar të partive politike dhe të shtetit.
Ata me po aq zell vazhdojnë ta zbulojnë fajin e të tjerëve, ndërkohë që nuk distancohen nga krimet që ka bërë një regjim, një shtet, njerëz konkretë në kohë dhe hapësirë të caktuar.
Asnjë shpifje kundër të tjerëve, veçmas UÇK-së, asnjë imputim nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi, i cili duke indoktrinuar të tjerët e indoktrinoi veten, siç shihet, përjetësisht.