Këshilli i Evropës e ka pranuar sot aplikimin për anëtarësim të Kosovës në këtë instancë. Ambasadori kosovar në Bruksel, Agron Bajrami zbuloi se si u votua sot në Strasburg.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka votuar me shumicë të votave pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Ambasadori Bajrami njofton se pro Kosovës votuan më shumë se dy e treta e vendeve anëtarë të KiE-së.
“Lajm i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm nga Strasburgu. Me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pranoi aplikimin për anëtarësim të Kosovës dhe nisi procesin e pranimit, duke i kërkuar Asamblesë Parlamentare të KiE, që të përgatisë një opinion mbi anëtarësimin”, ka shkruar ambasadori Bajrami.
Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Pas kësaj, Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022.