Draft-ligji vjetor për mbrojtje i Senatit Amerikan mund të shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore, që kualifikohen për trajnime ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Siç raporton mediumi amerikan, “Defence News”, Kosova është përmendur si pjesë e aktit fiskal të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2024, i cili do të fillojë të debatohet gjatë kësaj jave nga Senati.
Sipas këtij raportimi, përmes këtij akti, Kosova mund të lejohet që të angazhohet në stërvitje ushtarake të udhëhequra nga ShBA.
“Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin rivalin e saj Serbinë”, thuhet në këtë raportim.
Duke cituar një raport të komisionit, ky medium shkruan se vlerësohen përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për ta mbështetur Kosovën, derisa punon për të zhvilluar Forcën e Sigurisë.
Raporti po ashtu thekson se Komiteti i Senatit i Shërbimeve të Armatosura “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike”.