Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se është hera e dytë brenda një muaji që kryeministri Albin Kurti nuk ftohet nga komuniteti ndërkombëtarë në samite të rëndësishme
Ai ka thënë se në Samitin e Granadës shumica absolute e shteteve u përfaqësuan nga kryeministrat e tyre, por jo edhe Republika e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila është mbajtuar muajin e kaluar, kryeministri Kurti nuk ishte i mirëpritur nga liderët botërorë.
“Në Granadë të Spanjës, ku u mbajt samiti i tretë i liderëve të Komunitetit Politik Evropian, shumica absolute e shteteve u përfaqësuan nga Kryeministrat e tyre, por jo edhe Republika e Kosovës. Kryeministri Kurti që del dhe zhurmon për marrëveshjet ndërkombëtare që s’po mundet t’i miratojë, vazhdon të mbetet i padëshiruar dhe i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar. Pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është hera e dytë brenda një muaji që Kryeministri i Kosovës nuk ftohet dhe nuk pranohet në mbledhjet e liderëve botërorë. Dinjitet se jo mahi!”, ka shkruar Krasniqi.