Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë të ditur se ai sot s’ka dalur në zyrën qendrore të kësaj komune.
Peci tha se punën sot bashkë me kabinetin e tij e ka nisur në zyrën e komuniteteve.
“Kemi dalë në zyrën e komuniteteve në fshatin Lipë në komunën e Zveçanit. Nuk kemi dalë në zyrën qendrore për shkak të situatës”, tha ai.
Sipas tij, deri tek ky vendim kanë ardhur pas bisedimeve që kanë pasur me KFOR-in e Policinë e Kosovës.
“Në bisedime me KFOR-in e policinë kemi ardhur në përfundim që për shkak të situatës të vijmë këtu. Besoj që do të kthehemi në zyrën qendrore”, tha ai
Kujtojmë se dje situata më e tensionuar në veri të vendit ishte pikërisht në Zveçan, ku pati përleshje të mëdha në mes protestuesve serbë e forcave të KFOR-it.
Gjatë përleshjes, protestuesit hodhën shok-bomba, gurë, e koktej molotovi. Ndërsa, përveç KFOR-it sulme pati edhe ndaj mediave.