Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ishte në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.
Në fjalimin e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se sot në ditën e martirëve të Korishës është aty për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë, transmeton vezhguesi.com.
“Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kurti.
Por jo larg nga Korisha, në Landovicë të Prizrenit, gjendet muzeu i dëshmorëve i cili është në gjendje të mjerueshme, pavarësisht që ende nuk janë bërë dy vite nga ndërtimi i tij.
Siç shihet në fotografi, në pjesën e përparme ku do të duhej të ishte LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT, mungojnë shkronja L dhe M duke lënë vetëm AVDI DËSHMORËVE TË KO BIT, ndërsa emblemës së UÇK-së ju ka fshirë ngjyra.
Përderisa pushtetarët e nivelit qëndror dhe lokal i vizitojnë memorialet dhe trashigiminë e luftës në përvjetore dhe thurin lavde e premtime, është mirë që të njejtit të përkujdesen realisht për to dhe jo t’i lënë në gjendje të mjerueshme sikurse Muzeun e Dëshmorëve në Prizren. /Vezhguesi/