Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke thënë se dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Borrell, sot është shprehur i alarmuar me marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut, ndërsa Kurti ka thënë se ajo ishte ushtrim i rregullt e që ishte i informuar edhe KFOR-i.
Në përgjigje, Kurti ka thënë se përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç “u fryjnë tensioneve dhe u ndihmojnë atyre që kërkojnë përshkallëzim”.
“Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmojini burimet dhe prisni për informata zyrtare nga institucionet e Kosovës para se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve apo parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ai ka thënë se serbi i arrestuar në veri gjatë ditës është kapur “bazuar në dëshmitë e bollshme dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”.
Kurti ka thënë se si kryeministër nuk ka gisht në hetime e arrestime.
Po ashtu ai ka sqaruar se KFOR-i ka qenë në dijeni të plotë për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut. Ndërsa ka shtuar se marshimi ka qenë aktivitet i planifikuar vjetor.
Ndryshe, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është shumë i alarmuar nga situata e re në veri të Kosovës. Ai është ankuar për “arrestime jashtëgjyqësore të serbëve në Kosovë” e “marshimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës” në Mitrovicën e Jugut.
Borrell në Tiwtter ka shkruar se pavarësisht takimit të djeshëm, përshkallëzimi vazhdon të bëhet edhe më i rrezikshëm.
“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime jashtë jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, eskalimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar ai në Twitter.