Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Holandës Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel ka folur edhe për situatën aktuale të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ai duke folur për dialogun është shprehur se Kosova është e fokusuar në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për këtë kërkon zgjidhje evropiane.
Kurti është shprehur se marrëveshjet e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksi i Zbatimit i 17 marsit në Ohër duhet të zbatohen pa kushte.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve kam theksuar se Kosova është e fokusuar në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për këtë kërkojmë zgjidhje evropiane. Kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit për të cilën kërkojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte.” tha Kurti.
Në anën tjetër, Kurti ka falënderuar kryeministrat e të dy vendeve për përkrahjen ndaj Kosovës.