Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Në këtë samit do të ketë takim të dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas “përplasjeve” muajve të fundit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati anuluar mbledhjen e paraparë mes dy qeverive në korrik, pas tensioneve në veri të Kosovës. Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati refuzuar takim me Ramën, jashtë mbledhjes së qeverive.
Pas përplasjeve me Kurtin, kryeministri Rama është kritikuar nga opinioni në Kosovë edhe për qëndrimet e dhëna ditëve të fundit lidhur me situatën e tensionuar në veri, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku nga një grup i armatosur e uniformuar serb. Fillimisht Rama u shpreh se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e më pas ka thënë se “veriu është bërë tokë e askujt”.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit, për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Procesi i Berlinit është iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në gusht të 2014-s nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel./koha.net