Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Kurti tha se ka pasur shumë kryeshefë në KEK në të kaluarën që kanë bërë keqëpërdorime, por që sipas tij nuk janë trajtuar asnjëherë nga sistemi i drejtësisë.
“Është fakt që pati një gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit, mirëpo ky është fakt i opozitës, jo i çështjes. Ne e dijmë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur kepërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht Prokuroria”- tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se udhëheqja e re e KEK-ut ka dërguar fakte e dëshmi për keqpërdorimet e gjetura, por që sipas prokurorisë zelli për t’u marrë me ato raste ka qenë zero.
“Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetë aty, mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrur me deponimin e fakteve e dëshmive për keqpërdorime të mëhershme ka qenë zero, ndërkaq zelli për tu marrë me Krasniqin i cili në 2022-tën bashkë me punëtorët e KEK-ut i solli 107 milionë euro fitim, ishte maksimal”- theksoi ai.