Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për “HardTalk” në BBC ku ka folur edhe për vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Severna Brigadën” dhe “Mbrojtjen Civile”. Kurti në këtë intervistë ka pranuar se nuk e ka patur pajtimin e SHBA-ve dhe BE-së për ta bërë një gjë të tillë.
I pyetur se pse nuk është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, Kurti është përgjigjur duke i treguar gazetarit për armët e gjetura në Zveçan, ndërsa ai ka kërkuar një përgjigje më të drejtpërdrejtë, duke e pyetur Kurtin: “Pse po i injoroni miqtë tuaj në SHBA?”.
Në këtë pyetje, Kurti ka thënë se koordinohet dhe komunikon me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që sipas tij, nuk pajtohen gjithmonë.
Ai ka thënë se BE dhe SHBA janë njoftuar pesë ditë përpara vendimit, por ka lënë të kuptohet se nuk janë kërkuar këshilla dhe pajtim i tyre.
“Ne rregullisht komunikojmë dhe koordinohemi me BE-në dhe SHBA-të, por pastaj unë duhet të respektoj dhe të aplikoj kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit, ligjshmërinë. Pesë ditë përpara se ta merrja vendimin me të cilin i shpallëm këto dy organizata, organizata terroriste, ata ishin të njoftuar se çfarë do të bëjmë. Kështu që, ne koordinohemi, kjo nuk do të thotë se pajtohemi gjithmonë, në të gjitha çështjet.”, tha Kurti.
Shtetet e QUINT-it në Kosovë janë deklaruar se nuk janë pyetur e as nuk kanë qenë të koordinuara veprimet e qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre dy organizatave terroriste.