Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka arritur në Forumin e Prespës i cili mbahet në Strugë, ndërsa është takuar me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.
Ky i fundit në një postim në Facebook, njofton se me Kurtin ka diskutuar për situatën aktuale në raportet me Serbinë, ndërsa ka dënuar edhe aktin e rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
“Biseduam rreth situatës aktuale në raportet me Serbinë, me ç’rast dënuam aktin e rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e forcave speciale serbe duke e cilësuar këtë si akt provokimi që duhet korrigjuar urgjentisht nga ana e Serbisë. Askush nuk mund të cënojë integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës që është i garantuar nga mbarë faktori ndërkombëtar.
Vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e partnerëve tanë strategjik, Europës dhe SHBA-ve, është i domosdoshëm në frymën e njohjes së ndërsjelltë. Vendi ynë dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë në horizontet e zhvillimit dhe integrimit, krahë njëra tjetrës vëllazërisht në të gjitha sfidat”, ka shkruar Ahmeti.
Ndryshe, Forumi i Prespës ka filluar ditën e djeshme, ndërsa sot do të mbahet sesioni kryeministror me temën “Bashkëpunimi i sinqertë rajonal e mban rajonin të qëndrueshëm”.