Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar qytetarëve përmes një video-adresimi, pas zhvillimeve të fundit dhe paralajmërimit se BE-ja do t’i komunikojë masat ndaj Kosovës.
Ai tregoi propozimin e tij që e ka dhënë, përgjatë takimit të fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për ta gjetur zgjidhjen e krizës në veri.
Kurti bëri të ditur propozimin që sipas tij, vjen me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim.
“Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale, mund të bëhet gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës.
Zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, sipas Kurtit, aktivizohet nga një peticion për tërheqje që përkrahet nga të paktën 20 për qind të elektoratit.
Prandaj, kur të plotësohen këto kushte, data e zgjedhjeve shpallet nga presidentja Vjosa Osmani.
“Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja; Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, janë pikat që Kurti i ka propozuar.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë renditi disa kushte që Serbia duhet t’i plotësojë, për të shtensionuar situatën në terren.
Nga Serbia, Kurti tha se pret tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale.
“Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim: 1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre; 2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë; 3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. 4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”.
Ai shtoi se Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe “pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra”.
“Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim. Gjithë të mirat dhe përshëndetje të përzemërta nga Prishtina. Ju faleminderit shumë”, theksoi ai.