Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë.
Kurti theksoi se qëllimi i këtyre grupeve është fajësimi i Policisë së Kosovës për ta paraqitur atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
“Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë nuk do të zgjedhin mjet, fatkeqësisht mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia në njërën anë, duke i trajtuar ata si heronjë dhe martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë vetëm sa i ka inkurajuar”, tha Kurti.
Derisa u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës të jenë të vetpërmbajtur nga aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe.
“Andaj ju bëj thirrje juve bashkëqytetarë serbë që ditëve dhe javëve e muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetpërmbajtur nga aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitetet të padëshiruara shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët, egjiptianët, goranët e gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane”, shtoi ai