Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duke e njohur qëllimin e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, është mirë që vendi të përgatitet për tentativa të tilla si në Banjskë në të ardhmen.
Ai shprehet i bindur se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nuk ka ndodhur pa dijeninë e presidentit serb.
Ndërkaq, lidhjen e Aleksandër Vuçiqit me Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, e ka krahasuar me atë të presidentit rus me ish-shefin e Ëagnerit, Yevgeny Prigozhin.
“Milan Radoiçiq, Prigozhini i vogël, sepse Putini i vogël në Beograd, Vuçiqi, ka Prigozhinin e tij të vogël në malet që e rrethojnë Kosovën të quajtur Milan Radoiçiq. Ai e pranoi se ai e organizoi këtë sulm terrorist”, ka thënë ai në intervistën në SkyNeës të premten mbrëma.
Kurti ka theksuar se nuk ka asnjë mundësi që sasinë e madhe të armatimit të rëndë që grupi i serbëve e kishin në Banjskë, ta merrnin pa përkrahjen e Serbisë.
“Municioni që është gjetur, pajisjet ushtarake, dronët, kallashët, granatat, të gjitha erdhën nga Serbia. Ata kanë prodhuar këto në fabrika ushtarake në pronësi shtetërore. Asnjë shans që këto armë t’i merrnin pa përkrahjen shtetërore serbe. Prokuroria jonë tani ka prova se ata kanë mbajtur edhe dokumente bashkë me këtë armatim të rëndë. Municioni dhe armatimi që ka vlerë mbi 5 milionë euro është prodhuar në dy fabrika ushtarake në pronësi të Serbisë”, ka deklaruar ai.
Në Banjska të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin. Gjykata e Lartë e Serbisë e ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar shkuarja në Kosovë.