Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat për procesin e verifikimit të veteranëve të UÇK-së.
Ai ka deklaruar se ky numër është trefishuar.
I pyetur për përjashtimin e veteranëve nga Ligji për pagën minimale, ai ka thënë se ligji në fjalë rregullon pagën minimale e jo benefitet.
“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë ma shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve, andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quaj me emra adekuat”, ka thënë Kurti, duke shtuar se komandantët e UÇK-së japin tjera shifra.
“Veteranët sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, atëherë nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit atëherë bëhen edhe me shumë se 60 mijë. Unë jam që të kemi falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë, por nuk mund ta dëmtojmë luftën çlirimtare”, ka thënë Kurti, pas hapi fushatën e korrje-shirjeve në komunën e Lipjanit.
Sipas tij, kategorizimi i saktë i kësaj kategorie është shumë me rëndësi.
“Bashkë mund ta zgjedhim këtë, nuk kemi nevojë ta deformojmë të vërtetët tonë, kategorizimi i saktë është shumë i rëndësishme, nuk mund t’i dëmtojmë veteranët duke i bërë edhe pjesëmarrësit pjesë të kësaj kategorie. Mbrojtja e luftës është e rëndësishme, edhe për hulumtuesit e brezat e ardhshëm në mënyrë që të kemi të dhëna të sakta”, është shprehur ai.
I pari i qeverisë ka thënë se është që veteranët të kenë benefite me të mëdha.
“Ligji i cili kalojë së fundi në Kuvendin e Kosovës e rregullon pagën minimale. Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët, por këto benfite nuk janë pagë sepse paga është për punë. Pra benfitet janë mirënjohje e shoqërisë që i jepen veteranit të luftës”, është shprehur Kurti.