Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “më nuk mund të thotë që i kanë thënë ‘Jo’ Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”, ka thënë studiuesi dhe opinionist Agon Maliqi në një intervistë me Radion Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe) ku madje vlerëson se “tashmë Kurti e ka paguar çmimin politik për të” dhe se rrjedhimisht edhe “nuk do të jetë problem për të zbatimi”. Por, në të njëjtën kohë, Maliqi vëren se krejt konkludimi i Asociacionit “do të varet nëse ai do të marrë diçka në këmbim që të mund t’ia shesë publikut kosovar”.
“Dhe kjo është njohja e Kosovës nga pesë shtete evropiane dhe procesi i integrimit në NATO. Pa të, jo vetëm Kurti, por shumica e njerëzve në Kosovë do të ishin skeptikë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të saj”, ka thënë Maliqi.
Në bisedim e sipër me REL, Maliqi pohon se “gjëja e rëndësishme” është që tash Asociacioni është i lidhur me atë që jepet për “njohje de facto” dhe se nuk do të jenë procese të ndara.
“Njëra nuk do të funksionojë pa tjetrën. Pra, nuk do të ketë përparim në formimin e Asociacioni nëse nuk përmbushen pritjet e Kosovës në lidhje me njohjen de facto”. ka thënë ai, ndërsa sa i përket Asociacionit shton se “nuk besoj se do të ketë surpriza sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë një kornizë se si duhet të duket Asociacioni”.