Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një reagim pasi një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, për shkak të vërshimeve.
Ai tha se me pikëllim të thellë mori lajmin për humbjen tragjike të jetëve të Dion Ademajt dhe Mirsada Ademajt, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë.
“Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkroi ai, teksa të lënduarve u uroi shërim sa më të shpejtë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve.
“Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme”, shtoi Kurti.