Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e bëri me dije se nuk është pro masave të vendosura kundër Kosovës. Ai tha se heqja e tyre është e mundshme dhe se i mbështet personalisht. Por, ky qëndrim duket se nuk është i gjithë BE-së.
Kur Lajçak u pyet në një forum që u mbajt në Budva të Malit të Zi se çfarë do të ndryshojë, ai tha se nuk është mirë që Kosova është nën masa.
“Në rrethanat aktuale nuk është mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së. Dhe kjo është çështja që duhet të adresohet”.
“Heqja e sanksioneve?”, u pyet Lajçak në një panel të Forumit 2BS, që u mbajt në Budva.
“Kjo është njëra nga mundësitë që personalisht i mbështes”, tha ai.
Edhe pse e mundshme sipas Lajçakut, Bashkimi Europian sot ka përsëritur qëndrimin se masat hiqen kur tensionet bien, përkundër rrethanave të reja që u krijuan nga sulmi terrorist në Banjskë.
Pa konfirmuar nëse është përgatitur ndonjë paketë masash ndaj Serbisë për sulmin në veri të Kosovës, Stano tha se Kosova duhet të zbatojë kërkesat e BE-së për t’u hequr masat.
“Në këtë fazë ne vërtet duhet të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar”, theksoi sot Stano.
Po ashtu, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e dialogut me BE-në si lehtësuese, për të cilën tha se është ndërmjetëse e ndershme.
“Nuk ka rrugë tjetër, duhet t’i kthehemi dialogut”, tha Stano.
Kundër masave të BE-së ndaj Kosovës sot ka folur edhe presidenti i një shteti anëtar – Zoran Milanoviq i Kroacisë pasi shkeli njërën prej masave duke pritur në takim presidenten Vjosa Osmani. Ai madje ftoi edhe shtetet e tjera anëtare që t’i shkelin këto masa dhe të takohen sa më shpesh me përfaqësuesit e Kosovës.
Derisa fajtor për këto masa bëri drejtpërdrejt Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, se i ka ndërmarrë ai me ekipin e tij dhe jo Këshilli i Ministrave.
“Masat që i ka ndërmarrë Komisioni Europian, nga zoti Borrell, i cili shpresoj që së shpejti të shkojë në pension, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por masa të ndërmarra nga Komisioni Europian, nga Borrelli dhe ekipi i tij, të cilat ndalojnë dhe na kërcënojnë të gjithë ne të takohemi në disa nivele me përfaqësues të Kosovës në nivel të lartë”, tha sot ai.
Masat që aktualisht janë në fuqi kundër Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Komisioni Europian kishte thënë se më 28 qershor ia ka kumtuar këto masa institucioneve të Kosovës si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.
Stano në vazhdimësi ka përsëritur se masat janë të përkohshme dhe të kthyeshme.