Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas audio-incizimit që është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendojes, Mimoza Kusari-Lila.
Përmes një komunikatë, LDK thotë se audio-incizimet, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist.
“Maskat ranë! Me to dhe perdja e populizmit. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politike bërjes në vend”, thuhet në reagim.
“Për të vërteten dhe faktimin e saj, ne shprehim mirënjohjen. Për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë, LDK -ja shpreh shqetësimin më të thellë”, thuhet tutje.
Sipas LDK-së, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhër-arrest e në listë të zezë të SHBA-së, cenon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës.
“LDK-ja do të përcjellë në vijim zhvillimet mbi këtë temë”, thuhet në fund.
Gjatë ditës, pati reagime të ashpra edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovëas.