Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse nuk bëhet një gjë e tillë.
Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën “përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.
Më tej u ritheksua “mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse”.
Një paragraf i veçantë i konkluzioneve u kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.
Ata theksuan se është thelbësor vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.
Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit, sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.
Nga burimet e BE-së mësohet se gjatë debatit rreth Kosovës dhe Serbisë, disa liderë të vendeve anëtare kanë kërkuar që institucionet e bllokut të kenë qasje të balancuar ndaj Prishtinës dhe Beogradit, sepse, siç thanë burimet, nga diskursi publik si dhe masat ndëshkuese është krijuar përshtypja se po sanksionohet vetëm Kosova.
Këto burime thanë se “pak a shumë ka pajtim që autoritetet e Kosovës e kanë përgjegjësinë kryesore për nxitjen e incidenteve dhe është e qartë se përgjegjësi për dhunën dhe tensionet e ka edhe pala serbe”. Për këtë gjë publikisht ka folur kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, si dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, por brenda në takimin e mbyllur për këtë gjë kanë folur edhe liderë të shteteve të tjera.
Një diskutim dinamik për Kosovën
Siç ka njoftuar më parë Radio Evropa e Lirë, liderët e BE-së patën një “diskutim dinamik” për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në ditën e parë të samitit në Bruksel, më 29 qershor.
Në ditën e parë, liderët trajtuan situatën në veri të Kosovës dhe tensionet e shkaktuara në dy raste: në fillim të samitit, kur në takim mori pjesë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më vonë gjatë ditës, në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
“Mesazhi kryesor gjatë gjithë diskutimit ishte se duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të shtensionuar situatën dhe kjo duhet të bëhet nga të dyja palët”, tha një zyrtar i BE-së duke folur para gazetarëve të premten, më 30 qershor.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borell, shkroi në Twitter: “Dje rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe gatishmërinë tonë për të garantuar angazhimin e ardhshëm të sigurisë. Sot një diskutim i rëndësishëm për Kinën dhe sigurinë ekonomike. Unë do t’u raportoj liderëve për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës”.
Mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes, në pjesën e përfundimeve u zhvillua një debat i ashpër për migracionin dhe Hungaria e Polonia bllokuan miratimin e paragrafit që lidhet me menaxhimin e migracionit në BE. /REL