Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, Lista Serbe, që refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet që e nxorën Atiqin kryetar, mbajtën një konferencë për media.
Igor Simiq nga kjo parti tha se sot “kanë bërë përpjekje për ta ruajtur paqen”, por se këtë s’do ta bëjnë edhe për shumë gjatë. Ata dhanë një ‘ultimatum’ drejtuar kryeministrit Kurti.
“Nëse këto dhe veprime të ngjashme vazhdojnë, më 1 qershor do të vijë një përgjigje vendimtare nga populli serb. Ne do ta mbrojmë të drejtën e serbëve për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre me të gjitha mjetet”, tha Lista Serbe.
Simiq u përpoq të thoshte se problemin e kanë me Kurtin dhe jo me shqiptarët.
“Serbët sot nuk e kanë problem me popullin shqiptar, por me regjimin antiserb të Albin Kurtit, i cili çdo ditë përpiqet të zgjidhë dështimet politike duke fituar pikë të lira politike duke ngacmuar popullin serb”.
Ai tha se paqja sot gjatë betimit të Atiqit u bë falë “përpjekjeve të tyre”.
“Duke iu falënderuar përpjekjeve mbinjerëzore që janë bërë veçmas sot kemi arritur ta ruajmë paqen dhe ta bindim popullin që të mos reagojë ndaj provokimeve që vijnë nga regjimi i Albin Kurtit. Ne jemi të përcaktuar për paqe dhe këtë e kemi treguar kur u mbajtën zgjedhjet e rrejshme më 23 prill dhe paqja u ruajt veçmas pas thirrjes së presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Listës Sprska. Nuk po shohim që dikush tjetër është i interesuar për ruajtjen e paqes e aq më pak në Prishtinë ku disa tentojnë të fitojnë poenë politikë duke cenuar paqen në këto hapësira”