Pas publikimit të lajmit ditën e djeshme për arrestimin në Itali të një prej autorëve të dyshuar për masakrën e Velipojës me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur në vitin 2021, Policia ka dalë sot me njoftim zyrtar.
Policia ka bërë me dije se në pranga ka rënë Elmilind Dyli, i cili mbeti i plagosur në atë masakër dhe akuzohet se është njëri prej autorëve.
Njoftimi i policisë
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i kërkuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.
Falë inteligjencës policore, bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Romën, u finalizua nga Policia italiane, operacioni policor i koduar “Rimini”. Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.
Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje. Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas. Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.
Si ndodhi masakra e Velipojës?
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të 27 qershorit 2021 pas një konflikti për vendosjen e çadrave të plazhit në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persoan dhe u plagosën 2 të tjerë.
Të përfshirë në konflikt ishin dy fise, Gocaj dhe Verracaku. Viktimë mbetën vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, kamarieri i hotelit të tyre Myzerim Zeneli dhe Kujtim Verracaku. Ndërsa të plagosur Hasan Verracaku (kushëri i Kujtim Verracakut) dhe Elmilind Dyli. Krimi ndodhi në oborrin e hotelit të familjes Gocaj në Velipojë.
Anëtarë të familjes Verracaku bashkë me kushërinjtë e tyre kishin shkuar për t’u sqaruar në lidhje me vendosjen e çadrave në plazh, por të dyja palët debatuan. Debati degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit dhe përplasja solli bilancin e rëndë. Viktima më e pafajshme në këtë mes ishte kamarieri Zeneli që e kishte dhe ditën e parë të punës.