Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka reaguar partive opozitare pas kritikave të shumta dhe akuzave ndaj qeveritarëve për shkak që BE-ja konfirmoi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas Muratit, opozita është ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së.
Kësisoj, ai renditi marrëveshjet ndërkombëtare që sipas tij, opozita po i mban të bllokuara në Kuvendin e Kosovës, pa ndonjë arsye të vlefshme.
“Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme”, shkroi ai në Facebook.
“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita: – 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; – 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH. – 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, shtoi ai.