Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një konferencë për medie bashkë me zëvendëskryeprokuroren Elza Bajrami- Kastrati, kanë bërë të ditur se është mbyllur përfundimisht grupi “Albkings” dhe deri tani janë arrestuar shtatë të dyshuar.
Gashi tha se kanë arritur që brenda një afati të shkurtër kohor t’i identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryerësit e veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve nga neni 277 të Kodit Penal të Kosovës. Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre sa i përket shpërndarjes së fotove, video-incizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.
Ai tha se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar ende dhe se ka gjasa që do të zgjerohen hetimet ende ndaj personave që do të akuzohen.
“Sot i kemi diku 7 persona të cilët i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit edhe të zgjerimit të hetimit edhe për personat tjerë”, tha Gashi.
Kurse, zëvendëskryeprokurorja Elza Bajrami- Kastrati, e cila njëherësh si prokurore ka trajtuar këtë çështje penale tha se pas publikimit të të dhënave në fillim të këtij viti lidhur me këtë rast, Prokuroria autorizoi Policinë për ndërmarrjen e vetimeve hetimore.
“Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe kemi ndërmarrë disa veprime tjera hetimore, meqë rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha ajo.
Bajrami-Kastrati tha se ai gjendet nën masën e paraburgimit nën dyshimin për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.
Ajo tha se më 23 prill është ndaluar e dyshuara e dytë, E.S., e cila si administratore e këtij grupi, dyshohet për veprën e njëjtë sikurse i dyshuari i parë. Prokurorja tha se edhe E.S., gjendet në paraburgim.
“Më 23 maj 2024, pas veprimeve të vazhdueshme intensive drejt identifikimit të personave që kanë kryer këtë vepër penale, Prokuroria ka arritur të lëshojë aktvendim për ndalimin e personit të tretë të dyshuar në këtë rast F.P., gjegjësisht administrator kryesor i grupit “Albkings”, i cili me dy të pandehurit e lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, tha Bajrami-Kastrati.
E njëjta shtoi se edhe F.P., gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa theksoi se grupi është mbyllur, por që nga mbyllja e parë ai grup është rihapur edhe dy herë.
Zëvendëskryeprokurorja bëri të ditur se grupi “Albkings” është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur t’i identifikojmë dhe arrestojmë 7 persona të dyshuar që janë të përfshirë në këtë rast penal. Por, gjithashtu ju sigurojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar ta hetojë këtë rast edhe në disa pista të tjera të hetimit”, tha ajo.
Bajrami-Gashi u ka bërë thirrje të dëmtuarve që të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe Policinë.
Ndryshe, i dyshuari i parë i arrestuar lidhur me këtë rast, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 16 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”.
Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Nevzadi në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.