Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Albin Kurti është shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë.
Krasniqi ia ka kujtuar kryeministrit Kurti që Kosova sot është në sanksione nga ShBA dhe BE, pikërisht për shkak të veprimeve të Kurtit.
“Ti je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë dhe sa për që ti i ke mbështetur marrëveshjet, ti as Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, më të rëndësishmen për Kosovën nuk e ke mbështetë”, tha ai.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi vendosjen në rend të ditës të Rezolutës së propozuar nga PDK për fuqizimin e Policisë së Kosovës, Krasniqi tha se qasja e kryeministrit Kurti dhe VV-së nuk ka qenë kurrë konstruktive.
“Ju vini të kërkoni sot këtu konstruktivitet nga opozita, kur qasja juaj mund të jetë gjithçka, vetëm konstruktive s’ka qenë që nga dita që e keni marrë detyrën e kryeministrit, jo vetëm në raport me përfaqësuesit e qytetarëve që janë nga partitë opoztare, por para së gjithash në raport me qytetarët”, tha ai.
Krasniqi theksoi se Kosova sot është e sanksionuar dhe e përjashtuar prej programeve të ndryshme ndihmuese të BE-së për shkak të qasjes dhe veprimeve të kryeministrit Kurti.
“I kemi gati 500 milionë euro që i kemi votu ne deri tash këtu si opozitë bashkë me shumicën në çdo marrëveshje ndërkombëtare. Çka po ndodhë me to? As me i implementu nuk keni fillu, gjysmën prej tyre. Nuk je ti duke u brengosë bash as për punëtorin, as për asnjë kategori në Kosovë. E dëshmuat para pak minutash, gojën plot për policinë, nuk jeni në gjendje me miratu as një Rezolutë, e cila juve ju obligon pastaj me i bë tri veprime”, tha kreu i PDK-së.