Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se dëmi që mund t’i shkaktohet Kosovës me mos përzgjedhjen e Bordit të Trustit është dëmi ndaj qytetarëve të vendit.
Rafuna ka theksuar se mungesa e bordit nënkupton humbje çdo ditë në paratë e investuara jashtë dhe sipas tij, vetëm për shkak të një neglizhence.
“Ato janë kursime private nuk janë kursime publike. Është ligji për Trustin i cili në mënyrë shprehimore parasheh procedurën, afatet ligjore dhe kur duhet të zgjidhet bordi”, ak thënë Rafuna.
“Këtu ka një mungesë mirëpo nëse e shohim prej prizmit ekonomik padyshim është një dëm i madh, për arsye se këto mjete mund të investohen në projekte më të mira dhe brenda vendit, por pa pasur bord nuk mund të mirret vendim se ku do të investohen mjetet”, ka thënë tutje kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna në “FIVE” të RTV Dukagjinit.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka mohuar se ka humbje të mjeteve financiare nga kursimet pensionale në Trust, për shkak të mungesës së Bordit.
Në Komisionin parlamentar për Buxhet, Murati tha se performaca e Trustit për vitin aktual është në normën e vitit të kaluar.
“Është jo serioze të bëhet një propagandë e tillë kur dihet se brenda një dite lëvizjet mund të jenë deri 2 për qind”, tha ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë se nuk po bën asgjë, për siç ka thënë ai, humbjen e vlerës së kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale.
Ai përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se përderisa kursimet pensionale, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, popullistët vazhdojnë rehatinë. /Vezhguesi/