Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas votimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës e cila dënon sulmin e 24 shtatorit, dhe që u përkrah nga të gjithë deputetët.
Molliqaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “kështu zhduket opozita”.
Sipas tij, një rezolutë e tillë nuk është bashkim i pushtetit dhe opozitës përballë Serbisë.
“Po të kërkonte pajtim e rezistencë kundër Asociacionit, si problem real; po të kërkonte paqe të përhershme e ripërcaktim kufijsh; po të kërkonte ndërrim kornize dialoguese, atëherë ka kuptim edhe rezoluta, edhe bashkimi. Në të kundërtën, është veç nënshtrim ndaj opinionit publik.” – ka shkruar tutje ai.
Sipas Molliqajt, opozita s’e kërkon asnjërën nga frika e humbjes së votave.
Postimi i plotë:
Kështu njëmend zhduket opozita!
Rezoluta e votuar sot në Kuvendin e Kosovës nuk është bashkim pozitë-opozitë përballë Serbisë. Po të kërkonte pajtim e rezistencë kundër Asociacionit, si problem real; po të kërkonte paqe të përhershme e ripërcaktim kufijsh; po të kërkonte ndërrim kornize dialoguese, atëherë ka kuptim edhe rezoluta, edhe bashkimi. Në të kundërtën, është veç nënshtrim ndaj opinionit publik.
Opozita nuk e kërkon asnjërën nga frika e humbjes së votave, nga mungesa totale e orientimit. Nuk ka asnjë kuptim që sot të bëhesh vagon, dhe ta kundërshtosh Asociacionin që është në vazhdim. Sepse këto janë ngjarje brenda të njëjtit proces.
Grupet e ndryshme politike në Kosovë historikisht kanë qenë të angazhuara në përpjekje çlirimtare kundër Serbisë. Por, edhe në kushte pushtimi rryma e grupe të ndryshme kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për ta luftuar Serbinë. Urgjenca po shkakton fshirje dallimesh dhe është bërë mënyrë dominimi.
Opozita nuk ka përse turpërohet nga Qeveria që e ka vulosur dy herë Asociacionin. Ajo thotë se ka nisur një rrugë reformimi, andaj nuk ka pse t’i bartë hipotekat e së shkuarës.