Një burrë është shpëtuar nga rrënojat pesë ditë pas shembjes vdekjeprurëse të një ndërtese në Afrikë të Jugut. Kryeministri rajonal i provincës Kepi Perëndimor, Alan Winde, tha se ky rast “s’është asgjë më pak se mrekulli”.
Zyrtarët thanë se nga 81 personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes, kur të hënën u shemb ndërtesa 5-katëshe në qytetin George, në lindje të Cape Town-it, 13 janë konfirmuar të vdekur, 29 të gjallë dhe 39 të zhdukur, raporton agjencia “Reuters”.
Përmes një shkrimi në rrjetin X, Winde tha të shtunën se i mbijetuari ishte nxjerrë me sukses nga rrënojat pas 116 orëve.
Pas shembjes që ndodhi të hënën, ekipet e shpëtimit përdorën vinça, shpues dhe duart e tyre në përpjekje për të arritur te personat e ngujuar. Operacioni i shpëtimit po vazhdon.