Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për takimin e mbajtur mëngjesin e së mërkurës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin.
Abdixhiku thotë se në takim u informua për gjendjen e sigurisë në veri dhe për angazhimin institucional në luftimin e sulmit terrorist.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka thënë Abdixhiku.
“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, ka thënë ai.