Pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, mediumi Kanal 10 raporton se partia Lista Serbe, do të protestojë të hënën.
Sipas raportimit të tyre, protesta e Listës Serbe po bëhet për të kundërshtuar përsëri zgjedhjen e kryetarëve të rinj në komunat veriore. Kjo parti nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
“Siç thotë burimi, në protestë pritet të marrin pjesë strukturat paralele, e serbë tjerë që marrin ende për çdo muaj paga nga shteti serb.” – raporton Kanal10.
Protesta e mundshme e Listës Serbe vjen pak ditë pas tensioneve të fundit që ndodhën në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Dalja në punë e kryetarëve të rinj të komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nxiti tensione të reja.
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave, nxiti serbët lokalë, të cilët lëshuan alarmet dhe u grumbulluan për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave.
Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, sot është raportuar situatë e qetë në komunat në veri të vendit, teksa Policia e Kosovës po vazhdon të ruaj objektet komunale të këtyre komunave.