Ish-kongresisti amerikan, Tony Hall i ka vizituar prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi, në Burojë të Skenderajt.
Hall është pritur në odën e familjes Thaçi, nga babi i ish-presidentit, Haxhi Thaçi. Me këtë rast Hall tha se u ndije i mikpritur në shtëpinë e ish-kreut të UÇK-së.
“Qëllimi i vizitës ishte që ta takoja së pari babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, e pastaj edhe familjarët e ish-liderëve që po mbahen në Hagë. Ai (babai i Thacit) më priti shumë mirë. Mendova se po i bëja një nder, por në fakt ai më bëri mua nder. U ndjeva shumë i mikpritur në shtëpinë e tij”.
Ai shtoi se familjarët u shprehën të shqetësuar për gjykimin e bijve të tyre në Hagë, për çka tha se i mirëkupton. Madje ai tha se duhet të ketë drejtësi, në mënyrë që të gjykohen krimet e jo të hetohen vetëm krerët e UÇK-së, duke e quajtur këtë drejtësi të njëanshme.
“Njerëzit që kanë kryet këto krime duhet t’i paguajnë ato. Për mua kjo është drejtësi e njëanshme”.
Hall, të mërkurën ka takuar familjarët e ish-liderëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Ky takim vjen pas vizitës që Hall u ka bërë ish-krerëve në Hagë, për të cilët tha se janë të dekurajuar nga padrejtësia dhe tej-zgjatja e gjykimit.