“Bossi” kryesor i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë, Besim Zeqiri, i njohur si “Kaça”, punën e tij të kundërligjshme ndër vite dyshohet se e ka kryer edhe me ndihmën e disa familjarëve. Vëllai dhe nipi i tij, emra të njohur për organet e rendit e kanë ndihmuar Kaçën në veprimtarinë e tij, për çka kanë përfunduar edhe vet në prangat e Policisë. Në shenjë revolte për rastet për të cilat është arrestuar, nipi i Kaçës, po dyshohet se e ka kërcënuar së fundmi një zyrtar policor në Mitrovicë.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për Valdet Zeqirin, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës, pasi të dielën, në rrugën “Muhamet Gashi” në Mitrovicë, dyshohet se e ka kanosur një polic, të cilit ia zuri pritën.
FOTO: Valdet Zeqiri
Zeqiri – i cili disa herë ka qenë i arrestuar për kontrabandë me mallra, e ka penguar zyrtarin policor teksa po lëvizte me veturën e tij, e ka provokuar dhe më pas e ka kërcënuar. Gjithçka dyshohet se lidhet me rastet për të cilat i njëjti ishte prangosur në të kaluarën dhe në shenjë revolte, ka tentuar t’i qërojë hesapet me policin.
Rasti është denoncuar menjëherë nga zyrtari policor, i cili ka dhënë deklaratën e tij për incidentin, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme për arrestimin e tij.
‘Kaça’, vëllai i tij dhe nipi Valdet Zeqiri – emra të njohur për organet e rendit
Besim Zeqiri, i cili dyshohet se është “njeriu kryesor” i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë është pronari i barnatores në veri, ku më 2021, Njësia Speciale e Kosovës kreu bastisje nën dyshimin për kontrabandë.
Ai ishte në mesin e 10 personave që u shpallën në kërkim pas operacionit policor, në tetor të vitit 2021, kur Policia u sulmua pikërisht në barnatoren e tij. Pas kontrolleve në rreth 30 lokacione, 8 persona u arrestuan atë kohë, teksa 10 të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Zeqiri ndodheshin në arrati.
‘Kaça’ u kap tek në muajin gusht të vitit 2023, pas një incidenti në afërsi të Çeçevës në veri të vendit, kur grupi i tij, me tri vetura dhe një furgon kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës.