Njësitë Speciale të Kosovës të stacionuara pranë objekteve komunale në komunat veriore të Kosovës kanë filluar të tërhiqen sipas marrëveshjes së Bratisllavës për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani. Ai në një prononcim ka thënë se kanë pranuar vendimin e Qeverisë dhe i njëjti është dërguar në terren për ekzekutim.
“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në terren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë ka filluar të implementohet”, tha Elshani.
Njësitë Speciale të Kosovës kanë shkuar në veri të Kosovës më datë 29 maj kur, kryetarët e komunave veriore të Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet e Prillit vendosën të shkonin në objektet komunale për të marrë detyrat.
Që nga atëherë, ata kanë qëndruar në veri në mes të tensionit dhe përplasjeve fizike me protestuesit serbë. Ndërsa qeveria e Kosovës është pajtuar me Bashkimin Evropian për tërheqjen e 75 përqind të policëve në atë pjesë të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se policia do të qëndrojë atje derisa kriminelët serbë të arrestohen ose të shkojnë në Serbi, por duket se ka vendosur të heqë dorë nga ky kusht në një marrëveshje me BE-në.