Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë të djeshme për Zërin e Amerikës e ka lëvduar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si një partner të mirë i cili sipas tij, po bën atë çfarë është e mundur për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
E nga ana tjetër, Hill e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për zhvillimet gjatë fundit të muajit maj në veri dhe ka thënë “më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner”.
Mirëpo këto deklarime të diplomatit amerikan nuk janë pritur mirë nga njohës ndërkombëtarë të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor.
Politikani dhe autori portugez, Bruno Maçaes, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e sulmojnë një vend demokratik [Kosovën] për zbatimin e vendimeve demokratike, ndërsa po mbrojnë një vend autokratik [Serbinë].
“Po më thonë se kjo nuk është më shumë se një pushim i shkurtër në betejën e madhe globale midis autokracisë dhe demokracisë”, ka shkruar Maçaes në Twitter.
Njësoj konsideron edhe studiuesi boshnjak i shkencave politike, Jasmin Mujanoviq. Ky i fundit e kritikon Hillin se po e përkrahë një autokrat si Vuçiqin i cili është në një linjë me Rusinë.
“Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, thotë se Administrata Biden e konsideron autokratin Vuçiq që është në një linjë me Rusinë ‘si një partner të mirë’, por vë në dyshim kryeministrin e Kosovës pro-NATO i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike”, ka shkruar Mujanoviq në Twitter.
Në të njëjtën linjë është edhe analisti i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, Jakub Bielamowicz, i cili ka kritikuar ambasadorin amerikan duke thënë se e ka humbur sensin e realitetit.
“Ai vë në dyshim nëse kryeministri demokrat i Kosovës është partner i ShBA-së dhe refuzon t’u bëjë jehonë thirrjeve të kolegut të tij, Gabriel Escobar, për një pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në zgjedhje”, ka thënë Bielamowicz në Twitter.