Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, duke folur për mospritjen e Edi Ramës nga kryeministri Kurti tha se qytetari i Kosovës e as ai i Shqipërisë nuk e kanë merituar ta shohin një ditë të tillë.
“Dje jam ndjerë keq, sepse, nuk e kam pritur se Republika e Kosovës do të arrij deri këtu, të mos ofroj mikpritjen elementare përkundër bindjeve të bartësve të përgjegjësive institucionale. Qytetari atdhetar i Kosovës dhe i Shqipërisë, nuk e kanë merituar ta shohin këtë ditë. Përkundër pritjes së përafrimeve të mëtejme, dje vijës ndarëse iu shtua uji i ndotur”, ka deklaruar Lladrovci.
Por, Lladrovci ka thënë se nuk pret që të ketë ftohje të raporteve mes të dyja vendeve.
“Nuk pres të ketë ftohje raportesh, përkundër investimeve të armiqve të shtetit tonë në këtë drejtim. Kosova pa Shqipërinë është si shqiponja pa krah. Pa Shqipërinë, nuk mund të arrihej liria e Kosovës, as të bëhej e ditur e vërteta jonë, nga viti 1912 e këndej. Lufta jonë çlirimtare, pa kthjelltësinë e zërit të Shqipërisë, do të degradonte si konflikt lokal dhe i ngulfatshëm nga fuqia e armikut në terren. Jemi me fat që e kemi Shqipërinë dhe nuk ka bir nane që mund të na ndaj nga synimi i përbashkët, vlerat dhe proceset jetike të kombit. Armiqtë do të zhgënjehen me këtë angazhim të mbrapshtë”, ka deklaruar Lladrovci, për front online.