Dështimet e diplomacisë kosovare, janë si pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë dhe ngjarjet në veri të vendit, sipas partive opozitare.
Ndërkaq mazhoranca e fajëson këtë të fundit për situatën aktuale me politikat e tyre.
Krahas dështimit për të siguruar njohje të reja, opozita kritika hedh edhe për mënyrën se si trajtohet Kosova në arenën ndërkombëtare.
E nga Lëvizja Vetëvendosje, fajin ia hedhin opozitës për idenë e shkëmbimit të territoreve.
Deputeti i Partisë Demokratiket të Kosovës, Hajdar Beqa, kritikon institucionet për mungesë të përfaqësimit dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Kritika ka edhe ndaj Presidentes Osmani e kryediplomates Gërvalla, për të cilën thotë se më shumë është marrë me shkarkime.
“Sa i përket dështimit të diplomacisë, fatkeqësisht ne e kemi thënë se nuk kemi parë ndonjë strategji të Qeverisë aktuale për diplomaci e as në nivel të kryeministrit e as të ministres, por as në nivel të presidentes së vendit, andaj mendoj se është një mungesë totale e strategjisë dhe në të njëjtën kohë nuk kemi përfaqësime dinjitoze jashtë Republikës së Kosovës. Ne kemi parë që ministrja (Gërvalla) më shumë është marrë me disa shkarkime të përfaqësueseve diplomatik dhe nuk ka emëruar njerëz për t’i zëvendësuar ata”, thotë Beqa, teksa e sheh diplomacinë pa ministër të Jashtëm.
Beqa thotë se Qeveria fokusin kryesor e ka në veri të vendit, me ç’rast thotë se ato veprime po i ndërmerr për t’i mbuluar dështimet në arenën ndërkombëtare.
“Nuk kemi asnjë njohje deri më tani, nuk kemi as ndonjë premtim për të pasur një njohje të re, nuk kemi as një sukses në fushën e diplomacisë e as lobim për të avancuar Republikën e Kosovës dhe mendoj që në një far forme Kosova po funksionon sikur të mos kishte fare ministër të Jashtëm ose sikur ta kishin larguar nga strategjia e tyre apo nga projekti i tyre diplomacinë e jashtme. Tërë fokusimi i kësaj Qeverie, fatkeqësisht është në veri, përmes veriut duke bërë poenë ndoshta më shumë populiste po mundohen t’i mbulojnë dështimet tjera si në arenën ndërkombëtare si atë të brendshme, siç e kemi problemin me zhvillim ekonomik, ikjen e rinisë, papunësinë e kështu më radhë”, u shpreh Beqa.
Por shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, fajtor për këtë situatë e bën opozitën.
Thotë se me politikat e qeverive të kaluara, e kanë sjellë situatën aktuale në diplomaci.Kritikë të veçantë i jep idesë së shkëmbimit të territoreve, për të cilën thotë se kanë Kosovën në këtë situatë.
Kusari-Lila kërkon që dështimet të mos i faturohen kësaj Qeverie, pasi sipas saj, deformimet siç e quan ajo në proceset e ndryshme të dialogut kanë prodhuar këtë rezultat.
“Në fakt opozita e ose pozita e djeshme duhet ta kuptojë dhe duhet ta pranojë se gabimi i tyre në raport me menaxhimin e procesit të dialogut në veçanti vitet 2017-16 ka qenë me gabime kardinale të cilat më vonë kanë prodhuar edhe këto efektet tjera të cilat çdo proces tjetër i integrimit të Kosovës është lidhur me procesin e dialogut, dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e një insistimi prej një projekti famëkeq shkëmbimi territoresh e deri te pastaj lidhja e secilit proces qoftë ai edhe teknik që ka qenë liberalizimi i vizave me procesin e dialogut, prandaj është e pakuptime tashmë të mendohet se kjo faturë duhet t’i mbetet qeverisë së fundit, në këtë rast Qeverisë Kurti kur dihet se devijimet dhe deformimet e procesit të dialogut i cili ka rezultuar në procesin e marrëdhënieve ndërkombëtare apo diplomacisë kosovare kanë filluar aso kohe por që tash me shumë mund e përpjekje të mëdha po mundohen të rehabilitohen, ndërsa në situatën aktuale me përpjekjen për shtrirjen e sovranitetit në veri e natyrisht ngritjen e rendit e ligjit atje tashmë kanë arritur në një pikë kritike që unë besoj se pas kësaj nuk mund të kemi më përkeqësim por duhet të kemi përmirësim të raporteve”.
E më kritikuese ndaj kësaj qeverisjeje, shprehet deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.
Ajo ka përmendur marrëveshjen e arritur në Uashington nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për të cilën u kritikua me të madhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ju e keni parë kur ish-kryeministri Hoti e patë bërë një marrëveshje për një vit moratorium për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, si e kanë quajtur kryeministrin Hoti, ndërsa tash për dy vite ne nuk kemi asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, pra kjo është shqetësuese. Do duhej që së paku ta kenë një strategji, mirëpo kjo Qeveri nuk ka pasur strategji e as platformë lidhur me politikën e jashtme”, u shpreh Krasniqi./EO