Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është kategorik kundër ngritjes së padisë ndaj Serbisë për gjenocid.
Hasani në një intervistë në KTV ka thënë e nëse do të ndërmerret një veprim i tillë do të ishte shërbimi më i madh që do t’i bëhej Serbisë.
Ai thotë se një veprim i tillë do të zhvlerësonte vendimin e GJND-së për pavarësi dhe ka thënë në terma sportive se do të barazonim 1:1 me Serbinë, meqë sipas Hasanit ajo padi është e gjykuar të dështojë.
“Në qoftë se vërtet ngrihet padi kundër Serbisë është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet shtetit serb, sepse një hap i tillë do ta zhvlerësonte vendimin e GJND-së për pavarësi dhe ne efektivisht do të bëheshim një me një, nëse merremi me terma sportivë, për shkak se është e sigurt që ajo padi është gjykuar që të dështojë”, ka deklaruar Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2009 deri më 2015.
Kanë kaluar gati 2 vjet, prej që kryeministri Albin Kurti, paralajmëroi se kanë filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Kurti gjatë prezantimit të plan-programit qeverisës, kishte njoftuar edhe për fillimin e punës në padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Disa kohë më vonë, i pyetur për këtë çështje, ai kishte thënë se Qeveria është në mbledhje të provave për ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.
Kurti kishte deklaruar se ende nuk kanë rezultat konkret për këtë çështje, duke shtuar se janë të përkushtuar që rastin ta përmbyllin me fitore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.