Sulmi terrorist në veri të Kosovës nga grupi i armatosur i serbëve, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiq, i sanksionuar nga ShBA-ja dhe BE-ja, po vazhdon të komentohet edhe në mediet ndërkombëtare. Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ia ka kushtuar një artikull të gjatë situatës së krijuar në Kosovës pas sulmit terrorist. Çka shkroi “The Guardian”?
Në këtë artikull theksohet akuza e Kosovës se Serbia qëndron prapa grupit paramilitar, duke shtuar se Qeveria e Kosovës thekson se Radojiçiqi ishte udhëheqës i grupit terrorist dhe se një nga të vdekurit ishte ish truproje e Aleksandar Vulinit, shefit të shërbimit serb që është i sanksionuar nga ShBA-ja.
Xhelal Sveçlaj, ministër i Punëve të Brendshme, i tha “The Guardianit” se grupi ka ardhur nga Serbia, vend i cili, sipas tij, edhe e ka financuar.
“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj…Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia.” – deklaroi Sveçla, transmeton Nacionale.
Tutje, ministri Sveçla i ka treguar gazetës britanike se provat rreth këtij sulmi i ka ndarë me ambasadat e vendeve perëndimore.
“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë” – shtoi Sveçla.
Sipas “The Guardian”, të gjitha këto akuza të Kosovës i ka mohuar Serbia. Në këtë artikull, The Guardian e bën edhe një koment interesant, duke thënë se qasja e ShBA-së dhe BE-së mund të ndryshojë nëse zbulohet se Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, qëndron prapa sulmit terrorist.
“Nëse Vuçiç zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e ndërmarrë nga SHBA-ja dhe BE-ja karshi negociatave, që janë kritikuar nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut si të njëanshëm ndaj Beogradit. Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë.” – shkruan “The Guardian”.
Në këtë artikull citohet edhe Sonja Biserko, aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut në Serbi.
“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës.” – tha Biserko, presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Tutje, Biserko vlerësoi se Serbia e ka kaluar një vijë të kuqe.
“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm.” – shtoi Biserko.