Ish-ambasadori Lulzim Peci ka reaguar pasi spanjollët sot do të shkojnë të dielën drejt vendvotimeve në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Evropian që do të kalojë nga e djathta.
Sipas tij, fitorja e së majtës atje do t’i interesonte Kosovës, ndërsa fitorja e së djathtës pritet të sjellë një rikthim në “pozicionin e ngurtë”.
Reagimi i Pecit vjen pas mundësisë së ndryshimit eventual të qëndrimit të Madridit zyrtar për njohjen e Kosovës, transmeton Paparaci.
“Nese e majta fiton sot ne zgjedhjet e pergjithshme ne Spanje, mund te pritet nje qasje flesibile e Madridit ndaj Kosoves, mirepo nese fiton e djathta, mund te pritet rikthimi ne pozicionin e ngurte, ne mos me te vrazhde se ish qeveria e Rajoyit”, ka shkruar ai në Facebook.
“Astrologjia e rrethanave nderkombetare per Kosoven, ne kete rast, do te komplikohet edhe me tutje!”.
Kryeministri Pedro Sanchez ka thirrur zgjedhje të parakohshme, pasi Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos (Bashkë Mundemi), u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga viti 2018.
Shumica e anketave të opinionit për zgjedhjet e 23 korrikut e kanë vënë Partinë Popullore të krahut të djathtë, e cila ka fituar zgjedhjet në maj, para socialistëve të Sanchezit, por kanë parashikuar se asaj do t’i duhet mbështetja e partisë së ekstremit të djathtë, Vox, për të formuar një qeveri, raporton AP.
Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle për herë të parë që kur vendi kaloi në demokraci, në fundin e viteve ’70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco.