Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ftuar në emisionin “Prime Time” në Kanal10, i pyetur për punën 2 vjeçare të qeverisë Kurti, suksesin më të madh e ka cilësuar sigurimin e vaksinave kundër COVID-19. Ai ka thënë se gjendja në të cilën e kanë gjetë vendin ka qenë alarmante, shkruan vezhguesi.
Ai tutje ka folur edhe për rritjen ekonomike të vendit, për të cilën tha që për dy vite është rritur për 7 përqind. Kjo rritje sipas tij ka ardhë në kohën kur ka pasur krizë shëndetësore, ekonomike dhe energjetike.
I pyetur nga gazetari Naim Sadiku se cilat janë investimet kapitale të bëra nga Qeveria Kurti, Kryeziu ka thënë se është rritur eksporti në dy vitet e fundit por kjo sipas Sadikut nuk është meritë e Qeverisë por e vetë bizneseve të cilat arrijnë që të lidhin bashkëpunim me kompani jashtë vendit për eksportimin e produkteve të tyre.
Kryeziu tutje si sukses të qeverisë Kurti i ka përmendur edhe shtesat për fëmijë, shtesa këto që nga të gjitha janë cilësuar si simbolike dhe minimale./Vezhguesi/