Komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, e ka vazhduar dëshminë e tij edhe sot në Hagë.
Ai është marrë në pyetje nga avokatët dhe po vazhdon të pyetet nga prokuroria në pyetjet shtesë.
Remi ka thënë se pjesa më e madhe e anëtarëve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, përveç Jakup Krasniqit e Ramë Bujës, kanë qëndruar jashtë Kosovës.
Përgjigjet e plota të Rrustem Mustafës:
Ben Emmerson: Para Rambujesë, Azem Syla ishte komandanti i përgjithshëm. A është e vërtetë që Azem Syla qëndronte në Tiranë?
Rrustem Mustafa: Nuk dëgjohet
Ben Emmerson: Aso kohe Bislim Zyrapi që ishte ushtarak dhe e njihje, kishte rolin e shefit të shtabit. Pra në fakt ishte një person me përvojë ushtarake brenda shtabit dhe meraku i juaj ishte që në krye të shtabit duhet të kemi një ushtarak?
Rrustem Mustafa: Kam menduar që mundet Bislim Zyrapi me qenë komandant.
Ben Emmerson: Menjëherë pas Rambujesë, anëtarët ekzistues të shtabit të përgjithshëm u transferuan në role të reja në qeverinë e përkohshme të Kosovës. Në thelb pjesë e pasojave të marrëveshjes ishte formimi i qeverisë së përkohshme.
Rrustem Mustafa: Po
Ben Emmerson: Gjatë këtij procesi disa persona ndërruan rolet. Azem Syla u bë ministër i mbrojtjes, Bislim Zyrapi u bë shef kabineti në ministrinë e mbrojtjes.Dhe kur iu bëra pyetje të premten që Zyrapi u ngrit në detyrë më duket se keni thënë “ka mujt me qenë kështu”.
Rrustem Mustafa: Mundemi me thanë.
Ben Emmerson: A ishit në dijeni aso kohe që disa nga anëtarë të shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999.
Rrustem Mustafa: Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantët e zonave. Të gjithë qëndronin jashtë vendit.