Historiani e ish diplomati Ylber Hysa shtjelloi se pesha e sulmit në veri të Kosovës si agresion i dështuar po rritet tani pas ngjarjeve në Nagorno-Karbakh dhe Izrael. Kjo nuk mund të shmanget në konsideratën e vazhdimit të mëtutjeshëm të procesit të dialogut Kosovë-Serbi
Ish ambasadori i Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, theksoi zhvillimet e fundit në botë me konfliktin në Ukrainë dhe efektin e tyre në sfera tjera. Ai iu referua ngjarjeve në konfliktin Armeni-Azerbajxhan ku përkundër përpjekjeve dhe zotimeve për të kundërtën pati agresion ushtarak. Afër ishte një ujdi mes Izraelit dhe Arabisë Saudite për normalizim e paqe, siç kishte edhe negociata e përafrim në ujdi mes SHBA e Iran për programin bërthamor, dështuan që të dyja pas sulmit në Izrael.
Këto ngjarje kanë efekt edhe në Ballkan dhe nuk mund të shmanget si mundësi, shpjegoi Hysa. S’ka garanci që narracioni i zbatimit të marrëveshjes së dialogut do të rezultonte ndryshe kur ka këso lëvizje gjeopolitike në botë.
“Se a do të kishte ndodhur Banjska po të kishte përparim në dialog mes Prishtinës e Beogradit është një pyetje shumë hipotetike duke e marrë parasysh edhe kontekstin gjeopolitik që u shpalos këtyre ditëve me atë që ndodhi në Nagorno-Karabakh dhe me atë që po ndodh fatkeqësisht në Izrael.”
Elementet e dëshmitë e përgatitjes së sulmit në Veri nuk lënë hapësirë për nivelin e organizimit, tha Hysa.
“Më duket se ngecja në dialog ka mundur të jetë një shkas i përdorur siç e kemi dëgjuar edhe këto ditë se mos pasja e përparimit në dialog, mos zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara ka rezultuar me intervenime policore në veri dhe ka sjellë një retorikë nga njëra për luftën ndaj krimit qoftë nga ana tjetër për persekutimin e serbëve, një përpjekje për të arsyetuar atë që ndodhi në Banjskë. Po ajo nuk mund të arsyetohet, në fakt një agresion klasik, një vepër terroriste në tentim e cila ka involvuar një organizim dhe një strukturë, e cila ka mobilizuar një njësit paraushtarak që ka pasur armatim për një brigadë dhe i cili falë ndërhyrjes të specializuar të policisë së Kosovës është ndërprerë”, vijon ai.
Incidenti tash merr peshë edhe më shumë me ngjarjet në Izrael shtoi Hysa pasi do të kalonte në një rrafsh ndërkombëtar të konfliktit përtej Ballkanit e një procesit të dialogut. Kjo obligon që të shqyrtohet edhe përgjegjësia e llogaridhënia.
“Poashtu po aq pyetje hipotetike do të ishte çka nëse ky aksion i grupit të udhëhequr nga Radoiçiq do të kishte pasur sukses. A do të thoshte kjo një fron i ri në Evropë? A do të thoshte kjo që dikush qoftë në Beograd apo në Moskë ka arritur që në kohën e një lufte gati globale t’i hapë prapa shpine edhe një front Perëndimit? Siç po ndodh ndoshta edhe në Izrael. Kështu që kjo pyetje është po aq hipotetike sa përgjigja në këtë të dytën.”
Si do të vazhdojë dialogu tash e tutje ka vend për shqyrtim poashtu theksoi diplomati kur kihen parasysh këto rrethana të reja pas sulmit. Përfshirja e strukturave të Serbisë në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është pengesë. Skeptik u tregua Hysa në BE posaçërisht sa i përket sanksionimit për shkak të disa faktorëve brenda.
“Sa i përket presionit për të vazhduar me dialog e kemi parë qëndrimin më të ri të ambasadorit amerikan, Hovenier që kërkon kthimin në dialog. Por, të kihet parasysh se Asociacioni i Komunave serbe të mos ketë kompetenca ekzekutive. Kjo duket një lloj risie por a do të ketë presion edhe tek palët pritet të shihet edhe për faktin që një sjellje e tillë sjell edhe pyetjen se a do të ketë involvim direkt apo indirekt të Serbisë me strukturat e saj në veri të Kosovës, sjellë edhe pyetjen a do të ketë Serbia sanksione që është pyetje e parë e që siç po shohim Brukseli nuk është aq parimor, sidomos një pjesë e saj. Kemi dëgjuar ministrin e jashtëm hungarez Siarto, i cili dëshiron të bllokojë çfarëdolloj sanksioni kundër Serbisë.”
Më me peshë do të jetë rezultati i hetimit të grupit paramilitar serb që kreu inkursion e sulm terrorist në veri të Kosovës, do të ketë jashtëzakonisht më e rëndësishmja në mos parësorja tani pas ngjarjeve në Kaukaz e Izrael.
Dhe një tjetër çështje me rëndësi mbetet puna e Millan Radoiçit. Të gjithë kërkojnë në strukturat më të larta të NATO-së, Uashingtonit dhe Brukselit, të ketë një investigim për atë se çfarë ka ndodhur. Tani besoj që me ngjarjet e fundit që ndodhën në Nagorno-Karabakh dhe sidomos këto që po ndodhin në mënyrë dramatike në Izrael, pesha e të zbuluarit se cili ishte motivi dhe kush qëndron prapa sulmit në veri shtohet më shumë se më parë”./ABCNews Albania