Anëtarja e Komisionit Hetimor për të Drejta të Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi, ka njoftuar se kanë pranuar një peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës.
Musliu-Shoshi ka bërë të ditur se peticionin e kanë nënshkruar 5623 pjesëtarë të Policisë, e në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për përformancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor dhe Ligji për pensionim në Polici.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se nëpërmjet votës, pushteti duhet të dëshmojë përkrahjen.
Policia e Kosovës meriton përkrahje me vepra, boll me fjalë! Në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut kemi pranuar peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës me 5623 nënshkrime nga pjesëtarë të policisë të Kosovës. Kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe duhet të aprovohen pa asnjë vonesë”, ka shkruar Shoshi.
Këto janë të gjitha kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës përmes peticionit:
1. Ligji i pagave,
2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë
3. Shtesa për punë të veçantë
4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil
5. Shujta mujore
6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë
7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit
8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para,
9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor,
10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës