Policia e Kosovës ka bërë të ditur për portalin serb KoSSev se një person është plagosur me armë zjarri në veri të Kosovës. E ndërsa thonë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën dhe për momentin nuk dihen rrethanat e rastit, njëkohësisht ata mohojnë pretendimet jozyrtare se “zyrtarët e tyre kanë pasur lidhje me këtë rast”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për KoSSev se është njoftuar pak para mesnatës se një person është plagosur në veri të Kosovës.
Ata theksojnë se më pas kanë ndërmarrë aksione urgjente policore dhe kanë dërguar një patrullë në Qendrën klinike në Mitrovicën e Veriut, transmeton vezhguesi.
“Aty morëm informacion se po trajtohet një person i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në gjoks, por për momentin nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes”, kanë thënë nga policia për KoSSev, duke shtuar se po kryen hetime intensive me qëllim zbardhjen e rastit.
Pak para se Policia e Kosovës t’i përgjigjej pyetje të portalit KoSSev, në rrjetet sociale është raportuar se “në afërsi të urës së Bistricës, ku ndodhet postblloku i njësive speciale, ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe se është plagosur një serb M.J”.
Mirëpo, Policia e Kosovës thekson se zyrtarët e tyre nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo shkrepjes së armëve të zjarrit kundër ndonjë grupi apo personi.
“Prandaj, lidhur me shkrimin, gjegjësisht pyetjet që i drejtohen Policisë së Kosovës nga media të caktuara serbe, nëse është e përfshirë Policia e Kosovës, apo në formën e pyetjes nëse është përfshirë në të shtënat dhe plagosjen e një personi te Ura e Bistricës në komunën e Leposaviqit, ju njoftojmë dhe njëkohësisht përsërisim se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo shkrepjes së armëve të zjarrit, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë lokacionin e shënuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, thonë se janë të përkushtuar dhe punojnë për hetimin dhe ndriçimin sa më të shpejtë të rastit lidhur me të lënduarin që po trajtohet në QKS të Mitrovicës së Veriut./Vezhguesi/