Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.
Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim.
Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.
Ndërsa sipas medias lokale në Veri, Kontaktplus policia ndodhet para ndërtesës së banimit ku ka jetuar Milan Radojiçiq.
Sipas mediumit dhe pamjeve që janë publikuar, së paku tri autoblinda të Policisë së Kosovës janë përballë restorantit dhe objektit të banimit, rruga është e bllokuar për qarkullim, por jo për këmbësorë. Dy forca speciale janë në hyrje të rrugës.